india, rupee, occupation

DOKUMENTAR: KUSH ËSHTË FAJTOR PËR SHKALLËN E LARTË TË KORRUPSIONIT NË MAQEDONINË E VERIUT?

By admin, September 1, 2020

domino, hand, stop

“Korrupsioni vret” – është titulli i dokumentarit të ri të Shoqatës për Promovimin e Arteve Multimediale INVI IDEA me qendër në Gostivar. Dokumentari, siç njofton KDP, nxjerr në sipërfaqe problemet që shkakton korrupsioni në shoqëri, institucione, shtet dhe në jetën e përditshme dhe mungesën e vullnetit politik por edhe iniciativave qytetare për ta luftuar këtë dukuri negative.

Ky projekt zbatohet në kuadër të projektit “Së bashku kundër korrupsionit”, i implementuar nga Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedoni, Qendra e Zhvillimit të Mediave MEDIUM dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut, ndërsa  financohet nga Bashkimi Evropian (BE).

Sipas kryetarit të shoqatës, Burim Bilalli, qëllimi i projektit është të arrihet një vetëdije dhe perceptim më i avancuar i qytetarëve për praninë e korrupsionit dhe nevojën për të dënuar rastet dhe praktikat e korrupsionit.

Një tjetër synim i projektit, sipas Bilallit, ishte të trajnojë gazetarët se si të raportojnë për korrupsionin, ndërsa në të njëjtën kohë t’i trajnojë ata se si të përdorin sa më mirë gazetarinë si një mjet për të luftuar korrupsionin.

“Në këtë drejtim, gjatë një punëtorie njëditore me gazetarë nga Rajoni i Pollogut, teknikat dhe mjetet e nevojshme se si ta hulumtojmë korrupsionin ose keqadministrimin në institucione”, thotë Bilalli.

Në dokumentar dhe në video-porositë sensibilizuese me qëndrimet e tyre paraqiten ekspertë të njohur të fushave të ndryshme, përfaqësues të shoqatave joqeveritare dhe gazetarë hulumtues.

Anëtari i Komisionit për Anti-Korrupsion, Nuri Bajrami, thotë se korrupsioni i ngjan kancerit, ashtu si qelizat korruptive shkatërrojnë trupin e njeriut, ashtu edhe veprimet destruktive dhe korruptive shkatërrojnë sistemin shtetëror dhe interesin e përgjithshëm.

“Qytetarët dhe taksapaguesit nuk duhet të jenë indiferent ndaj kësaj dukurie. Korrupsioni nuk luftohet me heshtje dhe indiference. Korrupsioni luftohet me rreshtim proaktiv në mbrojtje të interesit të përgjithshëm dhe shtetëror”, thotë Bajrami në këtë video mesazh.

Profesori universitar, Ali Pajaziti, thotë se korrupsionit duhet t’i themi no pasaran, s’ka kalim. “Mos lejo që të korruptohesh, as mos korrupto dikë. Dihet se mikrobet socialë janë të dëmshëm për ty, familjen, rrethin ku jeton dhe shoqërinë në përgjithësi”, thotë Pajaziti në dokumentar. Sipas tij, një shoqëri e pakorruptuar është e mundshme, atë mund ta bëjmë ne të gjithë së bashku si komunitet duke ndryshuar mentalitetin, mendësinë tonë.

Drejtori ekzekutiv i ADI-it, Lulzim Haziri,  thotë se korrupsioni ndikon në varfërimin  e një shoqërie. “Qytetarët me paratë e tyre që i japin përmes tatimeve shtetit nuk do të fitojnë institucionet përkatëse me kualitet përkatës, nuk do të kenë spitale kualitative, nuk do të kenë shkolla kualitative, nuk do të kenë sistem arsimor kualitativ nuk do të kenë infrastrukturë kualitative e kështu me radhë”, thotë Haziri.

Sipas tij, nëse një qytetar mashtrohet me një akt korruptiv, duke menduar se nga i njëjti do të fitojë, humbjet janë të shumëfishta. “Nëse për 50 euro kujton se fiton në një çast humbja është dhjetëfish më e madhe, çmimi i tyre është humbja e lirisë”.  Haziri thotë se nevojitet një front më i gjerë për ta luftuar korrupsionin, ndërsa qytetarët kanë vetëm një obligim ta luftojnë dhe denoncojnë korrupsionin.

Analisti dhe profesori universitar, Sefer Tahiri, thotë se qytetari në asnjë rast nuk duhet të jenë pre e korrupsionit. “Nëse ndonjë i punësuar në administratë, ndonjë polic, ndonjë mësimdhënës, ndonjë politikan apo ndonjë mjek, nëse kryeni ndonjë punë, të cilën e kanë detyrim ligjor dhe ju shikojnë nga xhepat, mos bini pre e korrupsionit, sepse ata punët e tyre i kanë detyrim ndaj jush, ndaj qytetarëve, ndaj interesit publik”, thotë Tahiri. Bëhu pjesë e këtij antikorrupsioni, thekson ai, i cili është më se i domosdoshëm për një të ardhme më të mirë.

Gazetarja, Katerina Topalova,  thotë se të gjithë ata që marrin pjesë në korrupsion kanë përfitim të përbashkët dhe bashkë me këtë edhe interes të përbashkët të heshtin. “Roli i gazetarit është të jetë korrektues i shoqërisë. Nëse nuk flisni për korrupsionin atëherë jeni bashkëpjesëmarrës”, thotë Topalova në këtë video mesazh. Ajo gjithashtu thekson se çdo qeveri e korruptuar frikësohet nga mediat e lira. “Asnjë shoqëri nuk mund të jetë demokratike nëse është e korruptuar”.

What do you think?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *